Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarve L.S, A.S, I.S dhe ndaj një të mituri, duke i dënuar së bashku me 38 vjet burg.
I akuzuari L.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me 30 vjet burg, për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, i cili dënim, sipas gjykatës, do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari i dytë, A.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, i cili dënim, po ashtu sipas gjykatës, do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“I akuzuari I.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (vite) e 4 (katër) muaj, për veprat penale ‘Sulmi dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, thuhet në vendimin e gjykatës.
- Advertisement -
Ndërkaq, i mituri është shpallur fajtor për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe gjykata i shqiptoj masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues në kohëzgjatje prej tetë muaj.
Të akuzuarve L.S, I.S dhe A.S do iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të akuzuarit L.S, i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim prej 30 vjetësh.
Tre të akuzuarit dhe i mituri, po ashtu detyrohen, që në mënyrë solidare t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të Gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor.
Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.