I freskët nga humbja 2-1 e së shtunës kundër Kroacisë, Cristiano Ronaldo e provoi sërish fushën mbrëmë, kundër Irlandës, ku shënoi dy gola në fitoren bindëse 3-0. Kjo ishte ndeshja e fundit përgatitore e Portugalisë në funksion të “Euro 2024”.
Tani që po i afrohet moshës 40-vjeçare, ylli luzitan nuk ndihet ende gati, të paktën për momentin, për “t’i varur këpucët në gozhdë”, i bindur se mund të japë ende diçka. Sidomos me fushatën e Kampionatit Evropian në Gjermani shumë afër.
44 golat në 45 ndeshje, në të gjitha garat, këtë sezon janë aty për t’i parë të gjithë, pavarësisht nivelit të Ligës Pro Saudite. Dhe për “Euro 2024”, trajneri i kombëtares, Roberto Martinez, qetësoi pjesëmarrjen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”:
“Cristiano është i gatshëm ta ndihmojë ekipin dhe të japë gjithçka. Nuk ka asnjë lojtar tjetër si ai në futbollin botëror. Kush tjetër mund ta sjellë atë që Cristiano garanton në dhomën tonë të zhveshjes”.
- Advertisement -
Në fakt, ka dyshime mbi kontributin e tij në detyrat mbrojtëse. Trajneri Martinez shton: “Për ne është e rëndësishme të sulmojmë dhe të mbrohemi me 11 lojtarë. Përqendrimi i Cristianos, reagimi kur humbet topin dhe veprimet e tij mbrojtëse kanë qenë perfekte në 11 ndeshjet tona të fundit. Pra nuk kam asnjë dyshim, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për kapitenin tonë”.
Ndeshja e parë zyrtare e Portugalisë në Europianin e Gjermanisë do të jetë më 18 qershor kundër Republikës Çeke.