Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuarit për spiunazh.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas informacioneve të siguruara nga RTK, arrestimi ka ndodhur në Ferizaj, nën dyshimet se ata kanë qenë të angazhuar për vite me radhë nga BIA serbe.