Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.
Prej se është konfirmuar se përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.
Por, burimet diplomatike në BE thonë për Radion Evropa e Lirë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qasjeje do të kenë BE-ja dhe strukturat e saj të reja – që do të dalin pas zgjedhjeve evropiane – ndaj këtij procesi”.
Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të bëhen këtë verë.
- Advertisement -
Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.
“Ne jemi tash në një fazë ku po qarkullojnë emra të kandidatëve potencialë për pasardhës të Lajçakut në rolin e ndërmjetësuesit në dialog. Por, do të presim që, së pari, të emërohet përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Pasi që ai është edhe udhëheqës i dialogut në nivel të lartë, është logjike që të ketë mundësi të vendosë se kë duhet ta emërojë në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog“, thotë një diplomat i BE-së.
Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjatet, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera udhëheqëse të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në BE dhe mes vendeve anëtare.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen nga data 6 deri më 9 qershor, udhëheqësit e vendeve anëtare do të tentojnë të merren vesh për emërimin e presidentit të Komisionit Evropian. Për këtë, duhet ta kenë shumicën e kualifikuar në Këshillin Evropian. E, pasi të merren vesh për këtë pozitë, duhet ta zgjedhin presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë.
Për këtë qëllim, BE-ja do t’i mbajë dy samite – një të jashtëzakonshëm dhe joformal më 17 qershor dhe një formal më 27 dhe 28 qershor.
- Advertisement -
“Synim do të jetë që e tërë paketa të dakordohet mes liderëve të vendeve anëtare para fundit të qershorit. Kjo do t’i mundësonte Parlamentit Evropian që t’i konfirmonte këto emërime në seancën e korrikut. Përndryshe, do të duhej të kalonin në seancat e vjeshtës dhe kjo do të krijonte vonesa“, thotë një diplomat i BE-së.
Nëse Ursula von der Leyen, presidentja e tashme e Komisionit Evropian, e fiton edhe një mandat në këtë post – e ajo është favorite pasi është kandidate e grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian, i njohur si EPP – atëherë pritjet janë që presidenti i Këshillit Evropian, si pasardhës i Charles Michelit, të jetë nga radhët e liberalëve.
Pra, vetëm pasi të konfirmohet se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të emërohet edhe pasardhësi i Lajçakut si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi. Kjo, në rastin më të mirë, mund të ndodhë gjatë verës.
- Advertisement -
Burimet diplomatike në BE nuk presin të ketë vakum, sepse, sipas tyre, nëse pasardhësi i tij nuk do të jetë i emëruar deri në fund të gushtit, Lajçakut do t’i zgjatet mandati për disa muaj.
Në mesin e kandidatëve që janë përmendur deri tash si pasardhës të mundshëm të tij është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Vetë ai dhe Ministria e Jashtme e Sllovenisë kanë konfirmuar se ka interes për këtë post.
Por, duket se në strukturat e BE-së është duke u kërkuar një profil tjetër i politikanit, që do ta merrte rolin për të vazhduar ndërmjetësimin e dialogut.
Në mesin e kandidatëve potencialë, nga burimet diplomatike në BE përmenden edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë edhe përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Burimet e BE-së thonë se, kushdo që të jetë në atë post dhe pa marrë parasysh se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të duhet të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur deri më tash në dialog.
Ky, në fakt, ka qenë vazhdimisht edhe qëndrim i vendeve anëtare të BE-së, edhe i partnerëve ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Burimet nuk mohojnë se ka një dozë zhgënjimi me mungesën e progresit më të madh në procesin e deritashëm të dialogut. Por, vetë BE-ja, përgjegjësinë për këtë ua lë palëve në dialog.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Procesi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.
Nga dhjetëra marrëveshjet e arritura deri më tash, shumica nuk janë zbatuar.
Nën Lajçakun, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.