Në Itali, shtohet gjithnjë e më shumë interesi për Shqipërinë, rivalin e parë të “azzurrëve” në “Euro2024”. Jo vetëm për këtë, por te kuqezinjtë ndodhet një koloni e vërtetë me lojtarë që luajnë në Serie A, nëntë të tillë, ndërsa nga Sylvinho dhe pjesa tjetër e stafit teknik, të shumë janë ata që janë italianë, ose kanë një lidhje të fortë me Italinë. La Gazzetta dello Sport, i ka kushtuar një artikull special përfaqësueses shqiptare, duke nisur shkrimin nga trajneri Sylvinho:
“Nga shumë njohje të vjetra italiane, është edhe Sylvinho, që ka nisur punën në fillim të vitit 2023 pas largimit të Edy Rejës. Ish-mbrojtësi i Barcelonës ka qenë ndihmësi i Mancinit tek Interi. Ai është ulur në një stol ku më përpara kanë qenë edhe Xhani de Biazi dhe Kristian Panuçi. Në stafin e tij është edhe përgatitësi atletik Luka Laurenti nga Terni, videoanalisti Alariko Rosi nga Siena, si edhe mjeku torinez Xhanluka Stesina. “Punojmë natë e ditë, duke menduar për Europianin. Është një ëndërr për ne. Jemi në një grup shumë të fortë dhe për këtë duhet të përmirësohemi”, thoshte Silvinjo pas miqësores me Kilin përpara 15 mijë shqiptarëve”.
YJET- “Silvinjo ka grumbulluar 27 lojtarë, ku një duhet të hiqet përpara se të dorëzohet lista finale. ‘Italianët’ janë 10: Etrit Berisha dhe Ismajli nga Empoli, Kastrati i Çitadelës, Gjimshiti i Atalantës, Hysaj nga Lacio, Asllani i Interit, Kumbulla dhe Bajrami nga Sasuolo, Berisha dhe Ramadani të Leçes. Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami vijnë nga një sezon i vështirë. I pari është shpallur kampion me Interin, por ka qëndruar në stol më shumë. I dyti është rrëzuar nga kategoria me Sasuolon. Ylli, duke gjykuar nga eksperienca është edhe kapiteni i Kombëtares dhe vjen nga një triumf në Ligën e Europës me Atalantën”.
SURPRIZA- “Armando Broja, 22-vjeç, ka punuar shumë këtë sezon te Fullhemi sepse vinte nga një dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit. Në çdo rast, sulmuesi që është thirrur edhe nga U-21 i Anglisë sepse ka lindur në këtë shtet nga prindër shqiptarë, kërkon që të shfrytëzojë Europianin për të marrë vlerësimin e Çelsit që ka kartonin e tij”, shkruan ndër të tjera La Gazzetta dello Sport. (BalkanWeb)