Ish-trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, Bylbyl Sokoli, aktualisht kryetrajner i Dinamos së Ferizajt, ka reaguar ashpër mbi zhvillimet e fundit që vijnë nga Tirana. Më konkretisht, Sokoli është i habitur se si Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë kërkesë të përbashkët me homologen serbe për t’i pritur së bashku finalet e Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027:
“Lajmi i fundit: FSHF dorëzon kandidaturën për organizimin e “EURO 2027” – U21 së bashku me Federatën Serbe. Sa politikë largpamëse është të organizosh një kampionat me një shtet qe kreu krime ndaj shqiptarëve, një shtet ku në çdo stadium shohim slloganet më morbide antishqiptare, kurse shteti serb në çdo hap pengon sportistët shqiptarë (të Kosovës) që të promovohen në arenën ndërkombëtare…
Si mendoni, si do të marrin pjesë në këtë kampionat (U-21) futbollistët shqiptarë nga Kosova, Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, si dhe të Maqedonisë Veriore! Si do të ndihen tani futbollistët Ylber Ramadani, Berat Gjimshiti, Taulant Seferi, Jasir Asani, Mirlind Daku, Ardian Ismajli, Etrit Berisha etj…???!!!
Mos shëroni komplekse inferioriteti duke tejkaluar krenarinë kombëtare, nuk tregoheni më evropianë e më të emancipuar nëse injorohet realiteti në rajon dhe historia jonë. Mos e testoni durimin shqiptar!!!”