Milani i Piolit nuk arriti në gjysmëfinalen e “Europa League”, i eliminuar nga Roma në çerekfinale. Mbrëmë erdhi humbja 2-1 në “Olimpico”, pas disfatës minimale në ndeshjen e parë të “San Siros”. Një nokaut që mund t’i kushtojë trajnerit të ardhmen e tij në stolin e kuqezinjve:
“Ne nuk ishim në nivelin e Romës, e cila tregoi më shumë cilësi dhe vendosmëri. Ata e merituan të kualifikoheshin. Krijuam shumë raste të volitshme, por brenda zonës mund të kishim bërë më mirë. Nuk ia dolëm sepse nuk kishim cilësinë që duhej. Veçanërisht kur ishim në epërsi numerike, duhej të kishim më tepër kthjelltësi dhe intensitet.
Kam shumë zhgënjim, nuk e luajtëm asnjërën nga dy ndeshjet në nivelin tonë. Nëse nuk ke cilësinë dhe vendosmërinë e duhur, del i mundur. Jemi të zhgënjyer, sepse Liga e Evropës ishte objektivi ynë. Dolëm më keq se vitin e kaluar në Evropë, sepse nuk luajtëm në nivelin tonë. Duhet të reagojmë, kemi një derbi shumë të rëndësishëm përpara dhe finishin e kampionatit. Le të bëjmë më të mirën për tifozët tanë.
Është e qartë që, nëse në dy ndeshje gjuan 40 herë dhe vetëm një mbrojtës shënon nga këndi, kjo do të thotë që nuk kishim cilësinë për të shënuar. Po kështu, nuk kishim vendosmërinë e duhur për të mos pësuar tre gola. Duhet të reagojmë menjëherë në derbi dhe finishin e kampionatit.
- Advertisement -
A e ndryshoi planin e lojës goli i hershëm i Romës? Jo. Ne kishim përgatitur një strategji, të cilën e çuam përpara, por nuk ishim aq intensiv dhe cilësor sa duhej për të mundur një kundërshtar që luajti dy ndeshje të mira”.