Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i tronditur për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj dhe humbja e edhe një gruaje të Kosovës dhe nga rrethanat e rënda të kësaj vrasjeje mizore. Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe përkundër përpjekjeve për rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja e sotme, janë thirrje për reflektim për të gjithë ne, si institucione dhe si shoqëri”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë”, ka shkruar Sveçla.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.
Një grua ka mbetur e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit, kurse vëllai i saj i mitur është plagosur. Vrasësi dyshohet se ishte ish-bashkëshorti i viktimës.
Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka konfirmuar se gruaja, e identifikuar me iniciale, E.C., 21 vjeçe, ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe D.C., 15 vjeç.