Në Kosovë sot ka filluar regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave “ReKos2024”, i cili do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.
Për herë të parë nga paslufta, regjistrimi do të bëhet edhe në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, raporton agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug”, transmeton Klankosova.tv.
Tani për tani, nuk dihet nëse serbët do të marrin pjesë në regjistrim.
Serbët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës bojkotuan regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa përgjigja e serbëve në jug të lumit Ibër ishte vetëm e pjesshme.
- Advertisement -
Partitë serbe në Kosovë – Lista Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Popullore Serbe dhe Demokracia Serbe, kundërshtojnë pjesëmarrjen e serbëve në regjistrimin e popullsisë dhe disa prej tyre kërkojnë shtyrjen e procesit deri në njoftimin e dytë.
Lista Serbe sot i ka thënë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ndërkombëtarëve që e mbështesin se serbët nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. /Klankosova.tv