Luis Enrique, trajneri i PSG, foli në një konferencë shtypi. Ndër çështjet me të cilat duhej të merrej ishte edhe diskutimi me Kylian Mbappe dhe fjalët e shkëmbyera mes të dyve në ndeshjen e fundit të kampionatit, fundjavën e kaluar kundër Olympique Marseille.
Mjaft i irrituar, trajneri spanjoll u shpreh për këtë çështje: “Kurioze është se një gënjeshtër gjeneron lajme. Dikush shpik një lajm dhe nga aty dalin lloj-lloj spekulimesh. Pas ndeshjeve jam i lodhur, kam pak energji, por e përjetoj gjithë këtë me qetësi totale.
Unë e bëj punën në mënyrën më të mirë të mundshme, jam i lumtur me të gjithë lojtarët e mi, përfshirë Kylian. Ai është sjellë gjithmonë në mënyrë spektakolare. Unë do të doja që sezoni të përfundonte sa më mirë për PSG dhe mrekullisht për Kylian, gjithashtu. Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije, duke u përpjekur të arrijmë portin e suksesit”.
I pyetur nëse e kuptonte apo jo gjendjen shpirtërore të Mbappe, trajneri iberik e devijoi bisedën përballë gazetarit: “Ti je i ri, por unë jam 53 vjeç dhe kam shumë përvojë”.