Adidas ka njoftuar se do ta tërheqë, ose nuk do të lejojë që numri 44 të përdoret në fanellat e reja të kombëtares gjermane, sepse dizajni është i ngjashëm me simbolet e SS, “Schutztaffel”, skuadrën e mbrojtjes në shërbim të Adolf Hitlerit dhe të Partisë Naziste.
Ngjashmëria solli shumë kritika në rrjetet sociale, pasi javën e kaluar firma sportive gjermane publikoi dizajnet e reja të fanellave të kombëtares për Europianin e kësaj vere, që do të mbahet pikërisht në Gjermani.
“Ne do ta bllokojmë personalizimin e bluzave në dyqanin tonë online, – tha zëdhënësi i Adidas, Oliver Brüggen për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. – Njerëz nga rreth 100 vende punojnë në Adidas, kompania jonë mbron promovimin e diversitetit dhe përfshirjes. Si kompani e kundërshtojmë në mënyrë aktive ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në çdo formë”.
“Bild” pyeti veten se si ishte e mundur që DFB (Federata Gjermane e Futbollit) nuk e kishte vënë re më parë ngjashmërinë me simbolin SS, gjë për të cilën u përgjigj se verifikoi numrat nga 0 deri në 9 dhe më pas i dërgoi numrat nga 1 deri në 26 në UEFA për shqyrtim. Të dyja testet janë miratuar:
- Advertisement -
“Asnjë nga palët e përfshira nuk pa ndonjë afërsi me simbolikën e nacional-socializmit në procesin e zhvillimit të dizajnit të bluzave. Vetëm diskutimi publik konstatoi një afërsi vizuale”. Më parë, zëdhënësi i Adidas, Oliver Brüggen, kishte shpjeguar se nuk ishte kompania e mallrave sportive, por DFB, përgjegjëse për hartimin e numrave.
Polemika vjen disa ditë pasi Federata Gjermane e Futbollit njoftoi se, duke filluar nga viti 2027, do të ndalojë së veshuri Adidas dhe do të kalojë te Nike, duke i dhënë fund një lidhjeje 77-vjeçare me kompaninë gjermane.