Kosovës aktualisht i mungojnë rreth 600 mësimdhënës. Ata kanë lënë ditarin dhe nxënësit prapa në shkollë, duke marrë rrugën drejt shteteve europiane për një jetë më të mirë. Braktisja e shkollave nga mësimdhënësit ka nisur nga muaji janar, kur Kosova ka fituar liberalizimin e vizave. Largimi nga Kosova dhe vendet e punës po bëhet për shkak të pagave të ulëta. Ky fakt ka shqetësuar shumë Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“Ky është alarm shumë shqetësues, se nëse vazhdon një trend i tillë i ikjes së mësimdhënëseve, ka rrezik që shkollat e Kosovës të mbesin pa mësimdhënës vendas apo mësuese e mësues të gjuhës shqipe”.
Numri i mësimdhënësve të larguar është rritur më shumë pas liberalizimit të vizave.
“Në vitin 2024, me liberalizimin e vizave, kemi një numër në rritje të punëtorëve të arsimit, të cilët edhe pa bërë fare kërkesë për pushim pa pagesë, kanë emigruar në vende të ndryshme të Europës. Kjo do të thotë se numri i mësimdhënësve është çdo ditë në rritje. Dhe sipas informatave që kemi, rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga procesi mësimor”, kanë thënë nga kjo sindikatë për “Monitor”. Ikje dhe pushim pa pagesë nga mësimdhënësit ka pasur edhe gjatë vitit 2023.
- Advertisement -
“Sipas të dhënave që kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, në vitin shkollor 2023/24, vetëm në vitin 2023, para liberalizimit të vizave, diku rreth 300 mësimdhënës kanë bërë kërkesa në drejtori komunale për pushim pa pagesë, qoftë për gjashtë muaj edhe për një vit. Kryesisht këto kërkesa për pushim pa pagesë, punëtorët e arsimit i kanë bërë për t’u larguar në vendet e Europës”.
Përveç mësuesve, nga shkollat e Kosovës po largohen edhe nxënësit. “Bashkë me mësimdhënësit, po ikin edhe nxënës. Janë nxënës të cilët u takojnë familjeve që prindërit e tyre i kanë mësimdhënës, apo edhe në rastet kur prindërit e tyre janë të profesioneve të tjera.
Kjo do të thotë se numri i nxënësve dhe i punëtorëve të arsimit që po ikën nga Kosova është çdo ditë në rritje”, kanë treguar në Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Me Ligjin e ri për zyrtarët publikë, që hyri në fuqi në shkurt të vitit 2023, mësimdhënësve iu rritën pagat. Në varësi të nivelit arsimor ku punojnë dhe nga përvoja e punës, ata paguhen nga 580 deri në 610 euro.
Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë
- Advertisement -
Në vitet e ardhshme, Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë. Ikja e tyre po rritet nga ditë në ditë. Në fillim të këtij viti, 30 mjekë kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Odës së Mjekëve të Kosovës për largim drejt shteteve perëndimore, kryesisht në Gjermani. Kurse gjatë vitit të kaluar kanë ikur nga Kosova 150 të tjerë.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë se trendi i ikjes se mjekëve është shqetësues. Sipas tyre, brenda dy vitesh do të vërehet mungesa e tyre në nivelin terciar.
“Në dy muajt e këtij viti janë rreth 30 kolegë tanët të cilët kanë marrë dokumentacionin e duhur, që të nënshkruajnë kontrata me shtetet e Perëndimit, në këtë rast shumica në Gjermani. Disa prej tyre janë në ditët e fundit apo javët e fundit në largim. Trendi është i njëjtë si vitet e kaluara”.
- Advertisement -
Sipas Odës së Mjekëve, kjo po ndodh për shkak të keqmenaxhimit dhe politikës së gabuar.
“Është një problem menaxherial, gjithashtu edhe politik. Ne kemi afërsisht 440 mjekë të papunë, të cilët presin të punësohen. Sistemi primar nuk e bën atë që duhet bërë, t’i pranonte ata në punë e t’i shpërndajnë ata.
Momentalisht mjeku është në pozitë të vështirë, nuk ka vende pune, janë në presion të largohen nga Kosova, nuk shohin një perspektivë”. Për largimin e tyre ka pasur reagime të shumta nga opozita në Kosovë. Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, thotë se fajin për këtë e ka qeveria aktuale.
“Qeveria më shumë ka qenë e interesuar të ndërhyjë dhe imponojë njerëz nëpër Klinika dhe spitale, të cilët kanë qenë në ndërrime e largime të mëdha, sesa përfaqësim të denjë dhe menaxhim të mirë të institucioneve shëndetësore.
Nga kjo klimë ka vazhduar edhe ikja, sidomos nga mosplotësimi i kushteve të punës në pjesën e infermierisë e të mos flasim për mjekët, ku largimi i tyre është në rritje edhe këtë vit, fatkeqësisht nga kjo gjendje që është krijuar viteve të fundit”. Ndërsa Bekim Haxhiu, i Partisë Demokratike, e kritikon pushtetin edhe për vonesën e miratimit të ligjeve që lidhen me shëndetësinë.
“Dështim në miratimin e strategjisë për shëndetësi, për tre vjet nuk kanë qenë të aftë të miratojnë një strategji për shëndetësisë, për tre vjet nuk kanë qenë të aftë që dy ligjet bazë për shëndetësi, të cilat i kanë proklamuar vetë.
Deri sa nuk kanë qenë të aftë të miratojnë as një ligj për tre vjet, si mund të presim nga këta që mund të bëjnë diçka tjetër”. Llogaritet se në tre vitet e fundit, Kosovën e kanë braktisur mbi 600 mjekë. Sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licencuar dhe prej tyre, 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.
Pagat e mjekëve, infermierëve dhe specializantëve, sipas ligjit të ri për zyrtarët publikë, që hyri në fuqi në shkurt të vitit të kaluar, janë kalkuluar sipas vendimit për koeficientet, që për vitin 2023 ishte 105 euro, ndërsa për 2024-në pritet të jetë 110 euro.
Bazuar në nivelin e koeficientit prej 14 për drejtuesin e SHSKUK (Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës), paga për të pritet të jetë 1,470 euro. Mjeku specialist paguhet 1,260 euro, mjeku i përgjithshëm merr pagë bruto prej 777 eurosh, ndërsa mjeku në specializim paguhet me 840 euro. Kryeinfermieri merr pagë deri në 672 euro.Pagë prej deri në 588 euro euro marrin infermierët, kurse ndihmësi i tij, paguhet 472.5 euro.
Paga e mësimdhënësve
Me Ligjin e ri për zyrtarët publikë, që hyri në fuqi në shkurt të vitit 2023, mësimdhënësve iu rritën pagat. Paga më e lartë në arsimin parauniverstar për Drejtore/i të Shkollave të Mesme të Lartë dhe Drejtore/ të Shkollave Speciale ka një koeficient prej 6.3 apo 661,5 euro.
Drejtorët e Shkollave Fillore dhe të Mesme të Ulët paguhen 651,5 euro dhe Drejtorët e Institucioneve Parashkollore kanë pagë 619,5 euro. Mësimdhënësit në Shkolla të Mesme të Lartë dhe në Shkolla Speciale marrin rrugën prej 609 eurosh, ndërsa mësimdhënësit në Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulët paguhen 588 euro.
Këshilltarët e karrierës në Shkolla të Mesme të Ulët paguhen 588 euro, i njëjti pozicion në Shkollë të Mesme të Lartë paguhet 609 euro; me pagë të njëjtë do të paguhen edhe Instruktorët në Qendrat e Kompetencës dhe Shkollat Profesionale. Pedagogët dhe Psikologët paguhen 598,5 euro; Sekretarët e shkollave 588 euro; Edukatorët 546 euro; Edukatorët mbështetës 535,5 euro, Asistentët në arsim special 525 euro dhe punonjësit e bibliotekave, 514,5 euro.