Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se ka disa shenja pozitive për përparim në çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili një ditë më parë diskutoi mbi këtë çështje në Bruksel me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet shumë i qartë rreth kësaj cështjeje. Ne respektojmë autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës, e kuptojmë se ka një përgjegjësi të përcaktojë politika mbikëqyrëse për gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo nuk është për dinarin, kjo është për mënyrën se si rregullorja do të zbatohet, dhe ne jemi të shqetësuar se mënyra e zbatimit mund të ndikojë në kategori të cenueshme të shoqërisë, posaçërisht komunitetin serb por jo vetëm”, tha ambasadori amerikan.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë që është me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit duke pasur parasysh këto shqetësime, duke theksuar se diskutimet për këtë po vazhdojnë.
- Advertisement -
I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se të hënën në Bruksel pritet vazhdimi i bisedimeve Kosovë – Serbi për çështjen e dinarit serb. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha pas takimit se palët janë pajtuar që deri të premten të dalin me propozimin e tyre se si e shohin zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet me zgjidhjen afatgjatë.
“Është mirë të shohim se të dy qeveritë si ajo në Kosovë edhe ajo në Serbi do të ofrojnë mendimet e tyre se si mund të zgjidhet kjo çështje. Do ta përcjellim takimin e javës së ardhshme dhe e mirëpresim gjithë këtë zhvillim”, tha ambasadori amerikan.
Lajmi do të përditësohet së shpejti…