Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka bërë të ditur se përfaqësuesi i autorizuar i Manastirit të Deçanit e ka pranuar certifikatën e rregullt kadastrale nga Kadastra Qendrore e Kosovës në Prishtinë me të gjitha pasuritë e Manastirit të Deçanit, duke përfshirë 24 hektarët që i janë njohur manastirit me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë se është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 dhe se manastiri është njohur në Kadastër si pronar i pronës së kontestuar më parë”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se procesi i kahershëm ligjor që ishte zhvilluar për 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur.
Vendimi i Agjencisë Kadastrale vjen pasi kryeministri Albin Kurti më 13 mars urdhëroi që 24 hektarët t’i regjistrohen Manastirit të Deçanit.