Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka përfunduar takimin me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Ai në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Escobar pas përfundimit të takimit tha se vendimi i BQK-së ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të këtij vendi dhe Qeveria duhet të merret me këtë sfidë dhe ta diskutojë këtë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partneri më i përkushtuar i Kosovës, por duhet të them se raportet kanë disa sfida, dhe këto sfida vijnë për shkak të trajtimit që po i bëhet komunitetit serb tani. Vendimi i BQK-së ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të këtij vendi. Jemi të shqetësuar, do të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje, është një çështje emergjente humanitare që duhet të adresohet menjëherë dhe shpresoj që qeveria të jetë e gatshme, të jetë fleskibile në diskutimet e veta në dialog të martën”, tha Escobar.
Ai shtoi se ka përgëzuar kryeministrin për vendimin për pronat e Manastirit, që ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm.
- Advertisement -
“Kishim një diskutim shumë të mirë, kryeministri ka premtuar se do të merr disa vendime për propozimet që i kemi ofruar”, shtoi ai.
Ecobar ka thënë se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja ka qenë për Kosovën. Ai shtoi se pas Ohrit, SHBA e ka përkrahur kandidaturën e Kosovës për Këshill të Evropës, i ka përkrahur proceset demokratike, përfshirë edhe zgjedhjet në veri.
“Çdo gjë që kemi bërë, ka qenë për Kosovën dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona”, tha Escobar.