Real Madrid triumfon me “poker” golash përballë Celta Vigo-s, një fitore e pastër 4-0 që përforcon gjithnjë e më shumë pozitat e tyre në krye të La Liga-s, plus 7 pikë në raport me Girona, plus 8 nga Barcelona. Ekipi i Carlo Ancelotti-t kishte kontrollin total të lojës, në minutën e 21-të ishte Vinicius Jr që kaloi “mbretërorët” në avantazh.
Reali ushtroi presion asfiksues në zonën e Celta-s, por fati nuk ishte me djemtë e Ancelottit. Në minutën e 79-të, një goditje e fortë me kokë e Rudiger detyroi portierin e Celta-s të devijonte topin në portën e tij. Miqtë ishin të pafat, si në minutën e 88-të, teksa devijuan sërish topin në portën e tyre duke i dhuruar Realit edhe golin e tretë. Ancelotti hodhi në fushë edhe Arda Guler në minutën e 89-të. Fantazisti turk gjeti menjëherë golin në minutën e 94-ët, ky ishte goli i tij i parë me fanellën e Real Madrid:
“Jam i lumtur, sot jam realisht i lumtur pasi ekipi kishim gjithçka, sjelljen e duhur, intensitet, presion. Nga këtu e deri në përfundim të sezonit, çdo ndeshje mund të jetë një hap i rëndësishëm. Presioni është i lartë 10 ndeshje përpara fundit”, u shpreh Ancelotti pas fitores 4-0 përballë Celta Vigo-s.