Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.
Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.
Në fakt, sot bëhen 26 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.
Edhe sivjet Qeveria e Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e 26 – vjetorit të Epopesë së UÇK-së, derisa të martën në orën 10:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Komandantit Legjendar, raporton RTKlive.
- Advertisement -
Po ashtu, sot në orën 12:00, mbahet ceremonia e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, ku marrin pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit.
Zyra e Presidencës ka njoftuar se në orën 10:00, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të marr pjesë në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kurse në orën 12:00, presidentja Osmani merr pjesë në Ceremoninë e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Në këtë manifestim merr pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili gjithashtu si edhe presidentja do të mbajnë nga një fjalë rasti.