Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se duan të shohin Kosovën pjesë të familjes euroatlantike, por ka tërhequr vërejtjen ndaj qeverisë, duke thënë se duhet të tregojë përkushtim në dialog.
“Duam të shohim Kosovën e avancuar në trajektoren euro-atlantike. Ne, besojmë që e vetmja mënyrë është dialogu i lehtësuar nga BE. Më gjerësisht që jemi në një pikë kthese, kjo vendoset nga Qeveria e Kosovës. Strategjia më e mirë për Kosovën është të bëjë çdo gjë që mundet për të treguar vullnetin e vazhdueshëm të mirë, kreativitetin, energjinë e përkushtimin ndaj obligimeve që i ka marrë përsipër”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Ai ka reaguar ndaj ministres Gërvalla, ndaj deklaratës së saj, e cila ka kërkuar reagim të tanishëm si parandalim i luftës në të ardhmen. Hovenier ka përmendur investimet e SHBA-së në Kosovë si garancë për paqen.
“Gati nuk ka vend në botë që përfiton më shumë nga investimet e SHBA-së: 4 mijë trupa ushtarake të NATO-s sigurojnë stabilitetin në Kosovë. Ky është aspekti pengues i luftës në Kosovë. Nuk besoj që ka mungesë në këtë drejtim”, ka thënë ai.
- Advertisement -
Szunyog: Ndalja e dialogut është mbyllje e derës
(Plotësuar 16:49) Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, ka theksuar njësoj si homologu amerikan Hovenier, se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike është dialogu.
“Për mua e vetmja mënyrë për t’i arritur proceset e integrimit është dialogu. Ndalja e dialogut është mbyllje e derës”, ka thënë ai.
Tutje ai thënë se në qendër të interesit të Këshillit të Evropës po qëndron Evropa Lindore dhe aktualisht jo Ballkani Perëndimor. Sipas tij, BE ka pasur përpjekje të gjata në Ballkanin Perëndimor, por ka pasur çështje të pa kaluara nga shtetet. Ai ka përmendur edhe ndarjen buxhetore të bërë në shkurt, duke bërë krahasimin mes 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 6 miliardëve të Ballkanit Perëndimor.
“Nëse shohim procesverbalin e samiteve të Këshillit Evropian, koha më e madhe po kalohet duke u marrë me Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë dhe jo me Ballkanin Perëndimor. Mesazhet politike për zgjerimin me gjasë mund të përcaktohen nga zhvillimet në Evropën Lindore”, ka thënë ai.