Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjitha gjurmët për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator çojnë te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy policë të tjerë.
Osmani, në një intervistë për mediumin “Al Aan”, dhënë më 8 shkurt, të shpërndarë sot nga Presidenca e Kosovës, ka thënë se iu është konfirmuar edhe nga aleatët se Vuçiq qëndron pas sulmit.
“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të, se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyrë shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha Osmani.