Sot Republika e Kosovës shënon 16-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Për të festuar këtë përvjetor, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të veçanta. Presidentja e shtetit dhe personalitete të tjera do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes si dhe do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi si dhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Për të nderuar këtë ditë të veçantë do të kenë mbledhje Qeveria dhe Kuvendi, derisa në të gjithë vendin, Dita e Pavarësisë do të shënohet me aktivitete të shumta.
Radiotelevizioni i Kosovës ka përgatitur një skemë programore të pasur dhe të shtrirë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Për të sjellë dimensione të ndryshme të festës shtetërore, RTK do të transmetojë ngjarjet kryesore, përfshirë ngritjen e flamurit, seancën solemne të Kuvendit dhe intervista me personalitete të rëndësishme të kësaj date. Skema programore e RTK-së përfshin transmetim maratonik bashkë me Radio Kosovën, me lidhje të drejtpërdrejta nga qytete të ndryshme të vendit.
Pjesa artistike e këtij transmetimi maratonik do të pasurohet me muzikë, dokumentarë, dhe koncerte, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese për shikuesit dhe dëgjuesit.