PSG tregon forcë në Champions League, teksa mposhti 2-0 në ndeshjen e parë Real Sociedad. Në minutën e 22-të, mysafirët spanjoll i afrohen shumë golit. Takefusa Kubo provoi një asist për Andre Silvan, por goditja e sulmuesit nuk ishte e saktë. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e të besuarve të Luis Enriques. Nga brenda zonës lëvizI bukur Ousmane Dembele, gjithsesi koordinimi i francezit s’ishte i duhuri.
Në pjesën e dytë, skuadrat treguan dëshirë për të sulmuar dhe dhuruan emocione për tifozët në shkallët e stadiumit. Kylian Mbappe zhbllokoi llogaritë në minutën e 58-të, duke dërguar në festë tifozërinë parisiene. Për golin e qetësisë mendoi Barcola në të 70-tën.
Surpriza e madhe vjen nga Stadio Olimpico (Rome), ku Bayern Munchen pësoi disfatë 1-0 nga Lazio. Elseid Hysaj la fushën e lojës në minutën e 60-të, duke i shqetësuar të gjithë në kampin vendas. Episodi më i rëndësishëm i sfidës ishte ai i minutës së 67-te, kur Upamecano u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa lacialët “tundën rrjetën” me penallti falë Immobile.
Fokusi tashmë është te ndeshja e kthimit, me kampionët e Gjermanisë që do synojnë përmbysjen për t’u kualifikuar.