Presidenti amerikan Joe Biden i ka shkruar letër homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Në letrën në të cilën ia uron Ditën e Shtetësisë së Serbisë, Biden ia ka përmendur Vuçiqit edhe Kosovën.
“Në emër të popullit të SHBA-së ju dërgoj urimet më të mira për ju dhe popullin serb me rastin e festimit të Ditës së Shtetësisë më 15 Shkurt”, ka shkruar presidenti i SHBA-së në mesazhin e urimit dhe thekson se “ SHBA-ja vlerëson mbështetjen që Serbia i dha Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial kur u përball me pushtimin brutal të Rusisë”.
“SHBA-ja mbështet fuqishëm rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi.” Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interes të SHBA-së dhe Serbisë, dhe gjatë vitit të ardhshëm pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike”, shtoi Biden, raporton N1, transmeton Klankosova.tv.
- Advertisement -
Biden shtoi në letër se “inkurajon Serbinë që të vazhdojë me progresin e arritur të vitit të kaluar në Dialogun me Kosovën.
“Me zgjedhjet pas jush, inkurajoj Serbinë të ecë përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin kur është e nevojshme, në mënyrë që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet mes tjerash në letrën e presidentit amerikan në adresë të atij serb, transmeton Klankosova.tv.