Dhomat e Specializuara i kanë hequr kufizimet ndaj ish-krerëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit, rreth vizitave private.
Në njoftimin e publikuar më 9 shkurt, gjyqtari Charles Smith III, iu ka kujtuar atyre e në veçanti ish-presidentit të Kosovës Thaçi dhe ish-deputetit Selimi, rreth detyrimit që kanë për mos zbuluar informacione konfidenciale personave të tretë.
“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: KUJTON të Akuzuarit, në veçanti, zotërinjtë Thaҫi dhe Selimi, për detyrimin e tyre për të mos zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur; UDHËRON Sekretarin që t’u kujtojë vizitorëve në objektet e paraburgimit se ata nuk duhet të diskutojnë ose të marrin pjesë në diskutimet e informacioneve konfidenciale që kanë të bëjnë me procedurat në KSK me një të paraburgosur, duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli refuzoi që të vendoste ndonjë masë kufizuese lidhur me vizitat private.
- Advertisement -
“Andaj, ka vlerësuar se nuk ka indikacione që këto vizita të jenë përdorur për qëllime tjera”, thuhet tutje në vendim.
Po ashtu lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që të gjitha vizitat private të Thaçit dhe Selimit të monitorohen, ky paneli ka theksuar se ato janë të rëndësishme sa i takon të drejtave të akuzuarve si dhe nuk ka bazë për të vendosur masa kufizuese ndaj tyre.
Ndaj, Thaçit dhe të tjerëve DHSK-ja më 1 dhjetor 2023 pati caktuar kufizime.