Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, për këtë arsye janë vendosur masa të rrepta sigure gjatë qëndrimit të tij në Shkup.
Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në se me të marrë informacionin, institucionet e sigurisë së Kosovës i kanë njoftuar institucionet relevante në Shkup
“Menjëherë janë bërë grupe të përbashkëta pune, të cilat kanë qenë të dislokuara në gjithë Shkupin, dhe veçmas në perimetrin e lokacionit ku ka qëndruar Kurti”, thekson burimi.
Sipas burimit të RTK-së, në kuadër të planit terrorist serb, i ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku akuzohet lideri opozitar serb, Dragan Gjilas se do të takohet me Kurtin.
- Advertisement -
“Sipas analizave, sulmi ka mundur të duket sikur sporadik, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas”, thekson burimi.
“Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse telegram. Njëri kanal “KORIDOR” i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri “BUNT” i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, thekson burimi.
Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku qe paralajmëruar sulmi që u bë me 24 shtator 2023.
“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi.
Pamjet që ka siguruar RTK, shihet që edhe sot në mëngjes ka pasur masa te sigurisë, duke kontrolluar çdo makinë në afërsi të vendit ku ka kaluar natën kryeministri Kurti.