Sistemi arsimor së shpejti mund të përballet me një mungesë të theksuar të mësimdhënësve, për shkak të largimit të tyre nga vendi.
Për vitin shkollor 2023/24, një numër i konsiderueshëm mësimdhënësish kanë bërë kërkesë për pushim pa pagesë. Sindikata e Arsimit, fajëson Ministrinë e Arsimit për situatën e krijuar.
Në fund të dhjetorit Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, tha se mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë për vitin shkollor 2023/24. Mirëpo, pas liberalizimit të vizave u shtuan edhe shumë kërkesa të tilla.
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, vlerëson se kjo është pasojë e akumulimit të pakënaqësive të mësimdhënësve, të cilat sipas saj, nuk u përfillën nga Ministria e Arsimit.
- Advertisement -
“Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e sindikatave komunale, në vitin 2023, para liberalizimit ka qenë një numër prej mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, ndërsa tani me rastin e liberalizimit të vizave, ky numër është rritur, ose edhe nuk bëjnë fare kërkesë por vetëm largohen…deri më tash sipas infove, numri është rritur në mbi 500 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë”, tha Shala për rtv21.
Ish- zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Popovci, e konsideron shqetësuese ikjen e mësimdhënësve. Ai shtron nevojën e një strategjie shtetërore për parandalimin e këtij fenomeni.
“Mësimdhënësit janë pjesë e kësaj shoqërie dhe kanë një përspektivë më afatgjatë në karrierë dhe kjo mund të jetë një shtysë prej shumë prej tyre që të shqyrtojnë mundësitë për largim jashtë vendit…Nës kjo ndikon në procesin mësimor, drejtoritë komunale duhet të gjejnë zevendësimet ose duhet në rast të mungesës së madhe të mësimdhënësve ta riorganizojnë rrjetin e shkollave”, tha ai për rtv21.
Kosova po humb kuadro cilësore, thotë njohësi i arsimit, Jonuz Salihaj.
Sipas tij, raportet e acaruara mes Ministrisë së Arsimit, SBASHK-ut dhe drejtorive komunale të arsimit kanë shkaktuar mungesë të dialogut social.
- Advertisement -
“Tash migrimi është i pakthyeshëm pothuajse, unë tash sapo i shfletova shifrat krahasim me vitin shkollor 2021/22 ne vec i kemi këtë vit 14,500 fëmijë më pak, ata nuk kanë shku me u kthy, por me banu dhe e kanë lëshu Kosovën përgjithmonë. Për neve është shqetësuese edhe numri i mësimdhënësve që cdo ditë po migrojnë, me forma të ndryshme legale apo ilegale, disa e shfrytëzojnë ligjin e punës dhe marrin pushim pa pagesë dhe pushim për ngritje profesionale. Këtë e kanë shfrytëzu një numër i madh…problemi është që po shkojnë mësimdhënësit me përvojë, kuadrot”, thotë Salihaj për rtv21.
Përball kësaj situate, SBASHK-u alarmon Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që sa më shpejtë të angazhohet në zgjidhjen e këtij problemi. Në të kundërtën, SBASHK-u vlerëson se vendi do të mbes pa mësimdhënës./RTV21/21Media