Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të enjten kanë qëndruar në Mitrovicën e Veriut, nga ku kanë deklaruar se provokimet dhe kërcënimet e Serbisë nuk i trembin dhe do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.
Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin e vendosjes së mbishkrimeve kërcënuese dhe nxitëse të urrejtjes ndëretnike në lagjen Kroi i Vitakut në shtëpitë shqiptare, të cilat janë duke u rindërtuar me investimin e Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme është zotuar se akterët e këtij akti do të vihen para drejtësisë.
“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste, të cilat nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Çfarëdo gjuhe e urrejtes ndëretnike, çfarëdo gjuhe që ndjellë dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë edhe më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, ka thënë Sveçla.
- Advertisement -
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi theksoi se Qeveria e Kosovës do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për kthim në shtëpitë e tyre, derisa ka thënë se parullat e tilla ekstremiste tregojnë se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve.
“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare dhe Qeveria e Kosovës do ta garantojë këtë drejtë. Vitin që e lamë pas si qeveri kemi filluar ndërtimin e mbi 40 shtëpive në katër komunat veriore. Sigurisht se këto grafite tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar që të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Por neve si qeveri këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se shumë shpejt do të hapet thirrja e re në vlerë prej 3 milionë eurove për ndërtimin e shtëpive të reja për shqiptarët në katër komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
“Do të vazhdojmë të ndërtojmë shtëpi, sepse kjo është e drejtë elementare për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.