Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj është shpallur fajtor për rastin e njohur si ’53 milionëshi’. Atij i është shqiptuar dënimi me 3 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ky vendim do të ekzekutohet kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Po ashtu, Lekaj ka marrë edhe dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj të ndalimit të ushtrimit të funksionit publik në administratë publike.
Krahas Lekajt fajtorë janë shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Nebih Shatri u dënua me 28 muaj burgim, ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Me masë të njëjtë u dënua edhe Besim Tahiri, derisa Eset Berisha u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim, si dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik në administratë publike prej 1 viti.