I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha të martën se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në pagesat me para të gatshme në vend.
Banka Qendrore e Kosovës e nxori një rregullore të re javë më parë, e cila kërkon që të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me euro duke nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.
I pyetur nëse bisedoi me Kurtin për shtyrjen e vendimit të BQK-së, Lajçak tha për gazetarë: “Ne e përmendëm këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por dua të veprojë si zëvendës i Qeverisë kosovare, por ju do të njoftoheni nesër”,
- Advertisement -
“Pra, ju do të mësoni më shumë rreth kësaj”, shtoi ai. Në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë të martën në mbrëmje, Lajçak tha se u diskutua edhe për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Sulmi në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, u diskutua edhe gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë në Beograd, theksoi ai.
“Sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë në çdo takim që kur ka ndodhur”, tha Lajçak./ REL