Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se në fshatin Vranisht të Dragashit, kanë mbyllur katër komuna paralele. Ai ka theksuar se në to janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit e Dragashit.
Në Vranisht ministri Krasniqi ka qëndruar bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelel Sveçla.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, tha Krasniqi.
Ndërsa, ministri Sveçla u shpreh se kriminaliteti do të luftohet në çdo cep të Kosovës, kurse sipas tij, në Kosovë s’ka vend për Serbinë, përveç ambasadës së saj në Prishtinë.
- Advertisement -
“Ashtu siç edhe jemi zotuar, në çdo cep të Kosovës do të luftohet kriminaliteti, ilegaliteti dhe cfarëdo shkelje e ligjit. Në Kosovë do të ketë organe legjitime që do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Nuk ka vend për Serbinë përveç ambasadës së saj në Prishtinë”, theksoi Sveçla.