Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla i ka quajtur të pavërteta disa aportime për “ikje masive” të qytetarëve drejt vendeve të BE-së pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.
Ai ka publikaur disa të dhëna nga Stacioni i Autobusëve dhe të Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, për të cilat thotë se i demantojnë raportimet.
“Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë. Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar.”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Ministrit Sveçla procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme “ për çka u jam mirënjohës stafit të aeroportit, zyrtarëve tanë policorë atje, si dhe zyrtarëve policorë kudo në pikat tona kufitare”, ka thënë Sveçla./21Media