Në dy javët e para të këtij viti, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit që funksionin në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka pranuar 462 ankesa nga qytetarët, të cilët kanë raportuar parregullsitë të cilat i kanë hasur në treg. Prej tyre, 347 ankesa janë ndaj disa operatorëve kabllorë, shërbimet e të cilave, siç thuhet në njoftimin për media, janë të rregulluara me kontratë mes palëve.
“Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i MINT-së për të qenë në krah me konsumatorit, ka bërë që këto ankesa të adresohen në kohë rekord tek institucionet relevante për trajtim të mëtejmë, derisa vet MINT do të sigurohet që secila ankesë të marrë përgjigjen zyrtare, në mënyrë që ky rast të marr epilogun e vet dhe qytetarëve, respektivisht konsumatorëve, t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj”, thuhet në njoftimin për media.
Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave nga qytetarët në Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila funksionon në kuadër të MINT, dëshmon sipas këtij njoftimi, për rritjen e besueshmërisë në institucione nga qytetarët.
“Për këtë qëllim, MINT në vitin 2023 hartoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili u miratua nga Qeveria dhe i cili fuqizon edhe më tej mbështetjen institucionale për të drejtën e konsumatorit në treg.
- Advertisement -
Vetëm gjatë vitit 2023, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pranoi mbi 3000 ankesa, ku numri më i madh i ankesave ishte në kategorinë e tregtisë, ku përfshihen: mospërputhja e çmimit, moskthimi i mallit, riimbursimi i mjeteve, mashtrimi i konsumatorit, etj”, thuhet më tej në njoftimin e MINT-së.
Ky dikaster, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut thuhet se mbeten i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, e për këtë inkurajon qytetarët që t’i drejtohet kësaj ministrie.