Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Shqipëria synon kalimin e grupit në Euro 2024.
Skuadra e drejtaur nga Sylvinho gjendet në grup bashkë me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Duka është shprehur i vetëdijshëm për forcën e këtyre kundërshtarëve, por ka thënë se edhe Shqipëria ka skuadër konkurruese.
“Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit. Kroacia është gjysmë-finaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta.
- Advertisement -
Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe”, është shprehur ai. “Fitoret me skuadra të një niveli të lartë si Polonia apo Çekia, e rritën shumë skuadrën dhe kanë krijuar një besim të madh tek ne.
Arritja e vendit të parë në grup, të cilin nuk e diskutuam për asnjë çast dhe në mënyrë të veçantë mënyra e lojës që zhvilloi skuadra, tregon se jemi rritur shumë. Respektojmë këdo, por edhe nuk kemi frikë nga askush. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe do të tentojmë kualifikimin”.