Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përçuar edhe sonte mesazhe të qarta. Zyrtari i lartë i Uashingtonit, James O`Brien, tha se SHBA nuk do të lejoj të përsëriten ngjarjet e dhunshme në veri të Kosovës.
Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me KFOR-in në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.
“Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë edhe në muajt në vijim, presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.