Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Senati i ka kërkuar Presidentit të SHBA, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për postin e ambasadorit në vendin tonë.
Senati i ka kthyer presidentit Joe Biden, kandidaturën e David J. Kostelancik, për ambasador të SHBA-së në Shqipëri. Vendimi është marrë më 3 janar.
Kostelancik pritej që të zëvendësonte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, të cilës i ka përfunduar mandati prej disa muajsh tashmë.
- Advertisement -
Diplomati amerikan ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike. Ai ka punuar edhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
David J. Kostelancik ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.
I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin NorthWestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Miçiganit.