Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Parlamenti i dha autorizim SPAK-ut për arrestimin e deputetit Sali Berisha.
“Deputetët e PD-së mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”.
“Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën”, tha Basha mes tjerash, raporton Tch.
“PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në deklaratën e Lulzim Bashës. /Klankosova.tv
- Advertisement -
10:33 – Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit për mediat, pasi me 75 vota pro, socialistët i hoqën këtë të enjte imunitetin duke i hapur rrugë arrestimit të tij nga Prokuroria e Posaçme.
Votimin në Kuvend, Berisha e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend.
“Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.
10:25 – Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij
- Advertisement -
Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) për ashpërsim të masës së sigurisë ndaj tij, nga detyrim paraqitje në “Arrest me burg/shtëpie”, me akuzën për korrupsion pasiv.
Ashtu siç e parashikonte rregullorja, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dha fjalën Sali Berishës, por ky i fundit refuzoi. Ai kërkoi që të hiqej garda e Republikës nga Foltorja, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh, e për pasojë ish-kryeministri zgjodhi të heshtë, raporton A2CNN.
As protesta jashtë parlamentit dhe as kaosi i në seancën plenare, skenar i parë edhe në të kaluarën nga opozita, me karrige pirg në Foltore dhe flakadanë blu, nuk e ndalën mazhorancën që me fuqinë e kartonit t’i hiqnin imunitetin kryetarit të opozitës.
- Advertisement -
Tashmë, pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK ka rrugë të lirë për t’i bërë kërkesë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për llojin e masës së sigurisë, nëse do të jetë arrest shtëpie apo arrest me burg.
Berisha akuzohet se ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Përgjatë gjithë retorikës së tij, ish-kryeministri ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike.
Shqipëri: Protestë para Kuvendit ku pritet të merret vendimi për arrestimin e Sali Berishës
Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e fundit plenare për këtë sesion. Mësohet se ai ka shkuar në këmbë në Kuvend ndërsa është futur nga hyrja anësore e Kuvendit për të mos pasur përplasje me protestuesit të cilët janë mbledhur në mbështetje të Sali Berishës.
Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur 1 orë e 30 minuta më herët në ambientet e parlamentit, ku në orën 10:00 pritet të mbahet seanca plenare, për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, raporton “Euronews Albania”.
Socialistët mbërritën më herët se zakonisht në parlament, për të parandaluar skenarin e seancës së kaluar, ku deputetët e PD bllokuan hyrjet e parlamentit dhe nuk lejuan futjen e tyre në sallë.
Pas deputetëve socialistë kanë mbërritur në sallë kolegët e opozitës, ku të përjashtuarit u përplasën me gardën, e cila nuk i lejoi të hynin në sallë.
Me të mbërritur në sallë, deputetët e opozitës bllokuan foltoren me karrige dhe u përplasën me gardën, e cila tentoi t’i ndalonte.
Sakaq në ambientet e jashtme të Kuvendit ka nisur grumbullimi i simpatizantëve të ish-kryeministrit Berisha, të cilët me pankarta ku shkruhet “O sot, o kurrë”, kundërshtojnë vendimin për ish-kryeministrin.
Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për të ashpërsuar masën e sigurisë.
Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, ‘arrest në shtëpi’ apo ‘arrest në burg’, i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’.
Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
PS dhe Enkelejd Alibeaj dorëzuan dy raporte në Kuvend për imunitetin e Berishës.
Alibeaj tha se vota për imunitetin do t’i japë mundësi Berishës të pastrojë figurën e tij nga akuzat për korrupsion.