Qeveria shqiptare ka vendosur që stafi teknik i Kombëtares me një krye trajnerin Silvinjo dhe të gjithë lojtarët që kanë dhënë kontributin e tyre në kualifikimin e Shqipërisë në Europianin “Gjermani 2024” kanë marrë pasaportën diplomatike.
Ka qenë vetë Kryeministri, Edi Rama i cili gjatë fjalimit të tij në mbrëmjen Gala “Më të Mirët 2023” ka bërë të ditur vendimin për t’i akorduar pasaportat diplomatike stafit teknik dhe lojtarëve kuqezi.
Pas përfundimit të fjalimit të shkurtër, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte në skenë së bashku me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ftoi Presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj, për t’i dhënë pasaportën shqiptare Silvinjos.
“Tradita është që unë flas gjatë, presidenti flet shkurt. Sot e kemi ndrysh. Jam këtu me privilegjin për të thënë dy fjalë. Dy fjalët që dua të them kanë të bëjnë me nevojën për t’i përgëzuar me gjithë zemër edhe njëherë të gjithë ata që mundësuan këtë sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Dhe për t’i falënderuar. Kur skuadra jonë u kualifikua në europianin e 8 viteve më parë ne iu dhamë të gjithë sportistëve, trajnerëve, pasaportën diplomatike, Mirëpo nuk u kualifikuan pas 4 vitesh dhe pasaportës diplomatike iu dogj afati. Tani është koha për ta vënë pasaportën në afat. Nga kjo do të përfitojnë ndër lojtarët që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike si ambasadorë të shtetit shqiptar, ambasadorë të denjë për të cilët jemi shumë krenarë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama, i cili më pas thirri një nga kapitenët e Kombëtares, Elseid Hysaj, për t’i dorëzuar të parit pasaportën diplomatike.
- Advertisement -
“Thirra kapitenin, sepse ishte mosbesues deri në fund që do merrte pasaportën sot. Normal, kujton se jam si të tjerët, kur them fjalën edhe mund mos ta bëj. Tani do e mësojë edhe Hysaj, që atë që unë them, e mbaj”, tha Rama.
Kapiteni Hysaj në përshëndetjen e tij shprehu vlerësimin e tij për këtë vendim në emër të skuadrës kuqezi: “Shumë faleminderit! Dua të falënderoj Presidentin për ftesën në këtë mbrëmje, Kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Për mua është një emocion i dytë pas kualifikimit në Euro 2024. Është kënaqësi akoma më e bukur me këtë grupin ‘e lehtë’ që na ra këtë herë”. Kam besim tek skuadra që do ia dalim mbanë e ndoshta mund të bëjmë realitet një ëndërr tjetër në Gjermani”, tha Hysaj.
Më tej, Kryeministri i dorëzoi Presidentit Duka për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik të ekipit Kombëtar pasaportat diplomatike.
Gjithashtu gjatë mbrëmjes Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i dorëzoi pasaportën shqiptare, trajnerit të Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho Mendez Campos Junior.
Presidenti Begaj në fjalën e tij u shpreh: “Është kënaqësi të marr pjesë në këtë mbrëmje gala, të vlerësojmë FSHF që na bëri krenarë me pjesëmarrjen në Euro 2024. Sot po i japim trajnerit të Kombëtares një kontratë legale të legalizuar nga FSHF. Unë po e legalizoj si shqiptar, besoj se kam edhe mbështetjen tuaj”.
- Advertisement -
Trajneri Sylvinho theksoi: “Faleminderit shumë! Është një mbrëmje shumë e rëndësishme për mua, për historinë e Sylvio Mendez Campos Junior. Një djalë që ka dalë nga San Paolo dhe nisi një rrugëtim, shkoi në Londër, Barcelonë, Mançester, Milano dhe mbërriti në Tiranë, një tokë dhe vend i bukur. Është një nder të jap një kontribut në futboll. Keni bërë një rrugë shumë të bukur deri tani”, theksoi tekniku i Kombëtares.