Me organizimin e tryezës me temë “Reforma në Drejtësi”, dhe me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, ka filluar “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit”.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Shoqërisë Civile, Ambasadës britanike, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe gazetarë. Ndërsa, sipas komunikatës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial edhe pse ishin të ftuar në cilësinë e panelistëve nuk kanë marrë pjesë.
Në hapje të kësaj tryeze, zëvendësdrejtori i IKD-se, Betim Musliu, tha se është dëshpëruese se si përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, kur tani janë në pushtet, s’janë të gatshëm të ballafaqohen me një nga temat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, që është reforma në drejtësi. Ai kritika për mospjesëmarrje pati edhe për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor.
Gzim Shala nga IKD në cilësinë e panelistit të kësaj tryeze tha se Qeveria aktuale nuk ka strategji për luftimin e korrupsionit, po ashtu, sipas tij, Qeveria ka dështuar edhe në reformën e Këshillit Prokuroria të Kosovës.
- Advertisement -
Kritika për Qeverinë lidhur me reformën në drejtësi pati edhe panelistja nga Lëvizja Fol, Mexhide Demolli-Nimani, e cila tha se “Vettingu” si një premtim kryesor i kësaj Qeverie, është një dështim.
Pas fjalës fillestare të panelistëve u hap debat ku nga të pranishmit u trajtuan tema të ndryshme që prekin reformën në drejtësi.
Altina Besimi nga Ambasada Britanike në Kosovë, ka thënë se ka sfida dhe ngecje karshi arritjes së objektivave të mëdha në reformën e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), gjatë kësaj tryeze ka thënë se ka mungesë të llogaridhënies të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byro për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do vazhdojë me aktivitete të ndryshme që do të organizohen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).