Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë të ditur se po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së gruas sonte në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se me të marrë informatën nga policia, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe të gjitha njësitë relevante. Nga informacionet preliminare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka ndërruar jetë një grua, ku vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Nga vendi i ngjarjes janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Vritet një grua në Prishtinë
Një grua ka mbetur e vdekur Prishtinë. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
- Advertisement -
Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetime për zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike. Sipas policisë viktima u gjet në një veturë.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka theksuar për RTK, Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Rajonit të Prishtinës.
Siç merret vesh viktima është gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas një incidenti, ku familja Murseli është përballur me disa grabitës.
Sipas informacioneve të para, Murseli bashkë me gruan kanë qenë në veturë, ku si pasojë e të shtënave, gruaja e tij mbeti e vdekur, kurse ai dhe fëmijët kanë shpëtuar.