Ka disa ditë që zv/ministri për Kthim dhe Komunitete, Radoica Radomiroviq, në rrjetet sociale është duke i paraqitur disa dokumente përmes të cilave pretendon se qindra mijëra euro, para publike, janë abuzuar në Komunën e Leposaviqit, në kohën kur këtë komunë e qeveriste Lista serbe.
Në mesin e këtyre dokumenteve janë edhe planet për ndërtimin e sheshit dhe infrastrukturës në Leposaviq. Ai në një intervistë për RTK-në tha se faktet i ka gjetur në komunë e Leposaviqit në zyrën e Prokurimit.
“Unë me punëtorët e tjerë shkuam në zyrën e prokurimit të komunës, si dhe në zyrën e financave, dhe gjatë kontrollit të dokumentacionit, gjetëm keqpërdorime me shuma tejet të mëdha parash. Kjo normalisht që nuk është punë që ka mundur të bëhej brenda një dite. Si shembull mund ta përmendi rastin e sheshit, ku gjetëm marrëveshjen se ai shesh do të financohej nga Qeveria e Kosovës me 1 milion e 200 mijë euro, nëse nuk gaboj, por në të njëjtën kohë po i njëjti shesh do të financohet me paratë e Qeverisës e Serbisë me rreth 750 mijë euro. Por gjetëm edhe disa shkresa ku thuhej se një pjesë e madhe e atij sheshi veçse është ndërtuar, gjersa situata në terren ishte totalisht e kundërta. Gjithashtu gjetëm shkresa ku dëshmohej se ka keqpërdorime të mëdha edhe nëpër shkolla, ku gjithashtu kemi financim të dyfishte, nga të dyja qeveritë”’, tha për RTK Radoica Radomirovic, zv/ministër për Kthim dhe Komunitete.
Për më tepër, Radomiroviq thotë se edhe kompanitë që kanë qenë të kontraktuara për të kryer punët kanë qenë nën kontrollin ekskluziv të Radojçiqit.