Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rrugën evropiane të Kosovës, derisa ka kërkuar largimin e masave që janë vendosur ndaj Kosovës.
“Takimi ynë i sotëm u fokusua në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja Von Der Leyen, krahas kësaj kisha mundësinë ta informoj për zhvillimet e fundit në vend si dhe për angazhimin e çdoditshëm të institucioneve tona për ta integruar Kosovën në BE. Plani gjithëpërfshirës i prezantuar, sot, i bazuar në katër shtylla, shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian. Ndër të tjera ky plan para sheh mbështetjen e BE-së nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat të cilat duhet të ndërmerren në procesin integrues. Në takim shpreha mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian dhe në veçanti ndaj presidentes Von der Leyen, si mekanizma që i dhanë epilog përfundimtar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar presidentja Osmani në konferencën e përbashkët pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian.
Tutje e para e shtetit vuri në pah të arriturat e Kosovës në rrugën e reformave, si dhe ngritjen për 20 vende në indeksin antikorrupsion. “Të gjitha këto të arritura dëshmojnë se Kosova është gati që të marrë hapin e radhës drejt të ardhmes për të cilin po punon çdo ditë – integrimin e plotë në institucionet euroatlantike. Për ne e ardhmja në BE dhe NA|TO nuk është vetëm qëllim, është motivi themelor që formëson veprimet e përditshme të institucioneve tona. Si dëshmi për këtë, të udhëhequr nga vullneti i popullit tonë, institucionet e Republikës së Kosovës, dorëzuan zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në këtë drejtim ne llogarisim në mbështetjen tuaj presidente për të marrë statusin e vendit kandidat në të ardhmen e afërt në përputhje me qëllimin strategjik të BE-së për t’i hapur dyert për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në një proces të meritave”, ka thënë Osmani.
Osmani: BE t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat
- Advertisement -
Ajo ka thënë se vitin e kaluar Bashkimi Evropian mori vendime të rëndësishme duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Bosnje e Hercegovinës dhe Moldavisë. Këto vendime sipas Osmanit ishin strategjike, të cilat rikonfirmuan përkushtimin e BE-së ndaj vendeve që jo vetëm kërkojnë anëtarësimin por edhe i kundërpërgjigjen sfidimit nga regjimet autoritare siç është ai i Putinit.
“Prandaj është e rëndësishme që në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të BE-së, BE-ja të avancojë edhe me statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, gjithnjë në një proces të bazuar në merita. Republika e Kosovës do të sigurohet që qytetarët, bizneset dhe institucionet të përfitojnë nga qasja e hershme në tregun e përbashkët të BE-së krahas harmonizimit të plotë me agjendën klimatike të BE-së, e përqendruar në qasjen e instrumentet financiare të lidhura me marrëveshjen e gjelbër evropiane si dhe qasjen e pjesshme ose të plotë në fondet strukturore të BE-së. Kjo qasje strategjike e BE-së së bashku me reformat dhe angazhimin nga ana jonë mund të sigurojnë që arritjet tona në procesin integrues të jenë të përhershme dhe përfundimisht të çojnë drejt anëtarësimit të plotë”, ka shtuar Osmani.
Osmani: BE t’i heq masat, Kosova ka treguar angazhim konkret në deeskalim
Presidentja Osmani ka kërkuar nga presidentja e Komisionit Evropian për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja, teksa ka thënë se ‘adresa e pengesave’ për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri mbetet në Beograd.
“Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira, por për fat të keq adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd”, është shprehur presidentja.
- Advertisement -
Osmani: Serbia të ekstradojë në Kosovë të gjithë të përfshirët në sulmin e 24 shtatorit
Ajo ka thënë se krahas sfidave kolektive globale gjatë takimit me presidenten Von der Leyen vuri në pah se sfidat komplekse që po kalon Kosova janë si rezultat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë.
“Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitar të këtyre ambicieve destabilizuese të cilat rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, e cila u krye nga grupet terroriste paramilitare të Serbisë. Ne jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve keqdashëse, të cilat minojnë edhe vet vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Kosova është e përkushtuar të respektojë Kushtetutën e saj, e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon për në të gjithë kontinentin tonë dhe në të njëjtën kohë që të punojmë me partnerët ndërkombëtar për të siguruar sundim të ligjit në të gjitha pjesët e vendit tonë”, ka nënvizuar Osmani.
- Advertisement -
Ajo tutje theksoi se grupi terrorist dhe paramilitarë që është i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. “Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë të gjithë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti të agresionit kundër Republikës sonë”, ka shtuar presidentja.
Ajo në fund ka thënë se pavarësisht sfidave të vazhdueshme me të cilat po përballet Kosova “vendosmëria jonë për të shikuar drejt të ardhmes mbetet e palëkundur. Në këtë rrugëtim jemi bashkë me partnerët dhe aleatët tanë për të kontribuuar drejt një Evrope më prosperuese dhe më të sigurt për të gjithë ne”, ka përfunduar Osmani, e cila e ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian për punën, mbështetjen dhe miqësinë ndaj Kosovës.