Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rrugën evropiane të Kosovës, derisa ka kërkuar largimin e masave që janë vendosur ndaj Kosovës.
“Takimi ynë i sotëm u fokusua në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi presidentja Von der Leyen, krahas kësaj kisha mundësinë ta informoj për zhvillimet e fundit në vend si dhe për angazhimin e çdoditshëm të institucioneve tona për ta integruar Kosovën në BE. Plani gjithëpërfshirës i prezantuar, sot, i bazuar në katër shtylla, shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian. Ndër të tjera ky plan para sheh mbështetjen e BE-së nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat të cilat duhet të ndërmerren në procesin integrues. Në takim shpreha mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian dhe në veçanti ndaj presidentes Von der Leyen, si mekanizma që i dhanë epilog përfundimtar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar presidentja Osmani në konferencën e përbashkët pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian.
Tutje e para e shtetit vuri në pah të arriturat e Kosovës në rrugën e reformave, si dhe ngritjen për 20 vende në indeksin antikorrupsion.
“Të gjitha këto të arritura dëshmojnë se Kosova është gati që të marrë hapin e radhës drejt të ardhmes për të cilin po punon çdo ditë – integrimin e plotë në institucionet euroatlantike. Për ne e ardhmja në BE dhe NATO nuk është vetëm qëllim, është motivi themelor që formëson veprimet e përditshme të institucioneve tona. Si dëshmi për këtë, të udhëhequr nga vullneti i popullit tonë, institucionet e Republikës së Kosovës, dorëzuan zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në këtë drejtim ne llogarisim në mbështetjen tuaj presidente për të marrë statusin e vendit kandidat në të ardhmen e afërt në përputhje me qëllimin strategjik të BE-së për t’i hapur dyert për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në një proces të meritave”, tha Osmani.