Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë lansuar projektin për reformën e sistemit të asistencës sociale (SAS) në Kosovë. Ky projekt mundëson targetimin e saktë të familjeve që kualifikohen për asistencë sociale.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky projekt do të mundësojë që të gjitha familjet të ndiejnë dorën e shtetit, duke larguar diskriminimin, duke luftuar varfërinë por duke punuar që të mos krijohet varësi nga asistenca sociale. Tutje Murati tha se ky është një angazhim konkret i programit qeverisës.
Paolucci: Reforma pritet të rrisë ndjeshëm ndikimet e reduktimit të varfërisë
Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, tha se reforma pritet të rrisë ndjeshëm ndikimet e reduktimit të varfërisë.
- Advertisement -
“Duke përzgjedhur përfituesit, familjet përfituese bazuar në gjendjen e tyre të varfër, do marrin parasysh burimet e të ardhurave formale dhe informale, dhe do të drejtohen drejt atyre që kanë nevojat më të larta, duke u mundësuar gjithashtu njerëzve të punojnë me mirëkuptimin se është ky punësim produktiv që do i largojë ata nga varfëria”, tha ai.
Sipas tij, investimet në regjistrin social do të japin informacion se kush merr çfarë përfitimesh dhe niveli i mirëqenies së familjeve, dhe investimet në sistemet e informacionit do të mbështesin menaxhimin efektiv të informacionit në të gjithë programet e mbrojtjes sociale, raporton RTKlive.
“Më lejoni ta përmbyll duke përgëzuar ministrin e Financave të Punës dhe stafin në ministri për arritjen e deritanishme me këtë projekt të rëndësishëm, teksa po hyn në fazën e ardhshme vendimtare të zbatimit. Nuk është një projekt i lehtë dhe këtë e kemi ditur që në fillim, por rezultatet e këtij projekti do të jenë transformuese për njerëzit dhe për vendin e Kosovës. Pra, ne si Bankë Botërore jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim këtë agjendë të rëndësishme në Kosovë tha Paolucci.