Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të dekretojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, duke u thirrur në shkeljet të cilat janë evidentuar gjatë procesit të përzgjedhjes.
“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të procedurës i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e bëra, më obligon që mos të bëj dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror. Kam ftuar Këshillin Prokurorial që të ndjek një procedurë kushtetuese e ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit e cila është në funksion të mbrojtjes së integritetit dhe të funksionimit kushtetues të këtij institucioni, sikurse edhe rritjes së besimit të qytetarëve në drejtësinë”, ka thënë Osmani.
Shkeljet e evidentuara nga monitoruesit janë bërë publike nga organizatat monitoruese, Ambasada e SHBA-ve, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas Presidentes, shkeljet janë cilësuar si “mungesë e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të merikoracisë” në Raportin e BE-së për Kosovën për vitin 2022.