Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, në sesionin e parë të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, me temën “Integrimi i rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i konvergjencës me BE”, është fokusuar në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri.
Kryeministri Kurti, ka theksuar se në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre.
“Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka theksuar Kurti, njofton Zyra e Kryeministrisë.