Të gjithë tifozët shpresonin të shihnin në aksion Armando Brojës, por gjuri tradhtoi sërish “bomberin” kuqezi, duke e dërguar në dy numrin e mungesave. Më shumë se sa Broja, pasi në këtë pikë Sylvinho dhe Shqipëria kanë ardhur pa sulmuesin në dispozicion, ajo që shqetëson stafin është mungesa e Ardian Ismajlit, kjo është sfida e parë që duhet të bëjë llogaritë pa mbrojtësin e Empolit. Ashtu si në të 5 sfidat që ka zhvilluar në krye të Shqipërisë, Sylvinho as këtë herë nuk eksperimenton, pritet të hedh në fushë të njëjtin formacion si në Pragë, por me tre ndryshime në raport me sfidën e fundit kundër Polonisë.
Në portë rikthehet Etrit Berisha, pasi ndaj Polonisë kishte një gjendje gripale. Dyshja e qendrës, në mungesë të Ismajlit, pritet të formohet nga Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti. Nuk ndryshojnë krahët, Hysaj në të djathtë dhe Mitaj në të majtë. Nuk ka asnjë ndryshim as në mesfushë, dyshja Asllani-Ramadani janë fiks, të paprekshëm.
Roli i trekurtasitit do t’i besohet sërish Nedim Bajramit, njeri që na dhuroi një pikë të artë në Pragë, autori i tre golave këtë edicion. Në krahë të sulmit, Seferi ka fituar balotazhin me Uzunin, kjo pasi sulmuesi i Granada-s nuk është në kushte perfekte fizike, ndërsa në të djathtë Jasir Asani është i paprekshëm në sytë e Sylvinhos. Në qendër të sulmuesit, një fanellë titullari i është rezervuar sërish Sokol Cikalleshit.