Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, bashkëpunëtorët e tjerë dhe nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka realizuar vizitë zyrtare në Gjermani.
Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit të tij në Berlin kryetari Konjufca është pritur nga drejtues të lartë të shtetit gjerman dhe po ashtu ka takuar bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani.
“Kreu i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar një takim të veçantë me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Bärbel Bas, me të cilën ka diskutuar për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneriteti i ngushtë e i palëkundur nëpër vite midis Kosovës dhe Gjermanisë të thellohet më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka falënderuar homologen e tij gjermane për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë gjithnjë Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët se kaq, si dhe për qëndrimet e qarta të Gjermanisë sa i përket sulmit terrorist në Banjskë.
- Advertisement -
“Duke e njohur presidenten e Bundestagut me sukseset që Kosova ka shënuar sa u përket treguesve të demokracisë në vend, kryetari Glauk Konjufca ka potencuar nevojën për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstraparlamentare sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se presidentja e Bundestagut gjerman, Bärbel Bas, ka konfirmuar se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm midis dy vendeve do të vazhdojë edhe më tutje.
Në vazhdim të vizitës në Gjermani kryetari i Kuvendit ka zhvilluar takime të veçanta edhe me drejtues të komisioneve të ndryshme të Bundestagut.
Gjatë këtyre takimeve kryetari Konjufca ka shprehur falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për rolin mbështetës dhe shumë të rëndësishëm të Gjermanisë për vendin tonë në periudha dhe rrethana të ndryshme.
“Kryetari i Kuvendit i ka njoftuar ligjvënësit gjermanë lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, përderisa ka shprehur shqetësimin e institucioneve të Kosovës për rrezikun e përsëritjes së një skenari të tillë me përmasa akoma më të mëdha, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon me ashpërsi dhe konkretësi rolin e Serbisë në këtë cenim të sovranitetit dhe sigurisë të Republikës së Kosovës. Z. Konjufca ka veçuar reagimin e Gjermanisë në dënimin e këtij tentim-invazioni të Serbisë kundrejt Kosovës”, thuhet në njoftim.
- Advertisement -
Kryetari Konjufca është shprehur mirënjohës edhe për kontributin e Berlinit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese evropiane, liberalizimit të vizave, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme.
“Kosova gjithnjë është e hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet”, ka thënë kryetari Glauk Konjufca.