Sot në Granda të Spanjës do të mbahet Samiti i Tretë i Komunitetit Politikë Evropian i 47 vendeve evropiane. Pjesë e këtij samiti, i cili ka për qëllim nxitjen e dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit është edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ajo para fillimit të këtij samiti në një prononcim për media ka thënë se gjatë këtij samiti do të kërkojë nga liderët evropianë që sanksionojnë Serbinë për agresionin e kryer ndaj Kosovës.
E pyetur nëse mund të ndodhë një takim ndërmjet saj dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Granada, ajo ka thënë se nuk është paraparë diçka e tillë dhe nuk ka arsye për t’u takuar para se të vendosen sanksione kundër Vuçiqit.
Sa i përket rikthimit në dialog, e para e Republikës ka thënë se fillimisht duhet të vihen “sanksione kundër Serbisë dhe pastaj dialogu”.
- Advertisement -
“Duhet ta kuptojmë që Serbia kreu krim. Ata e kanë rrezikuar tërë kontinentin evropian. Ajo që ka ndodhur më 24 shtator është kryer me urdhrin e lidershipit të Serbisë”, ka thënë presidentja.
Ajo tutje ka thënë se mënyra e vetme për ta tejkaluar situatën aktuale është “që të imponohen masat e ashpra kundër Serbisë”. Përndryshe, ka thënë Osmani, nëse situata vazhdon siç është tani atëherë “duhet të flasim për çështje teknike dhe të harrojmë faktin se ka pasur një akt agresioni nga Serbia të realizuar nga grupet terroriste që janë armatosur nga udhëheqja e Serbisë”.
“Kjo duhet të ndalohet që Vuçiq të mos kryejë akte të tilla. Deklaratat nuk mjaftojnë, duhet të ndërmerren masa, duhet të jemi unanim në mbështetjen e Kosovës sa i përket kërcënimeve nga Serbia”, ka shtuar Osmani.
Tutje presidentja ka thënë se Serbia nuk duhet të marrë pjesë në Komunitetin politikë evropian, pasi si ç ka thënë ajo “kjo është një tavolinë e vendeve që besojnë në paqe e që fatkeqësisht Serbia nuk është një prej tyre”.