Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë Bashkimi Evropian e ka dënuar sulmin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, situata duhet të depërshkallëzohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme.
Stano në konferencën për media në Bruksel, ka deklaruar se në Kosovë është krijuar një situatë shumë e rrezikshme.
“Të dyja palët duan të anëtarësohen në BE dhe rruga e tyre është përmes dialogut. Ne nuk duhet të merremi me kriza të rrezikshme siç kemi tani, por duhet t’i ndihmojmë ata. Të gjitha këto janë thënë shumë qartë në njoftimin e anëtarëve të BE-së se si duhet të sillen për të hyrë në BE”, ka thënë Stano.
Ai nuk ka treguar nëse BE-ja do të vendosë masa ndëshkuese edhe për Serbinë. “Masat e vendosura për Kosovën nuk janë sanksione, kemi thënë që në fillim se BE-ja e ka pasur të qartë se masat janë të përkohshme, nëse BE-ja gjen arsye do t’i prezantojë edhe Serbisë”, është shprehur Stano.