Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur të premten një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit E. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile” në fshatin Staradran të Istogut. I pandehuri dyshohet për vrasjen e 16 civilëve shqiptarë.
“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të nacionalitetit shqiptarë, ngjarje kjo e cila ka ndodhur më 8 maj 1999, në fshatin Staradran të komunës së Istogut”, njofton Prokuroria Speciale.
Kjo çështje penale, siç thuhet në njoftim, tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, i pandehuri gjendet nën masën e sigurisë në paraburgim, deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.
- Advertisement -
Ai, sipas aktakuzës, është i sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.