Pritjet nga takimi i radhës në Bruksel për profesorin dhe analistin e njohur, Daniel Serwer, janë të ulëta dhe nuk sheh përgatitje për një rezultat të suksesshëm nga të dyja palët, arsyeja, sipas tij, është se nuk shihet ndonjë reflektim i madh.
“Nuk shoh diçka të madhe nga ana e Beogradit, por as ndonjë veprim serioz sa i përket Asociacionit, thjeshtë nuk shoh ndonjë përpjekje për ndonjë kompromis”, deklaroi Daniel Serwer në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Për telefonatat që kryeministri Kurti pranon nga përfaqësues dhe emisarë ndërkombëtarë, analisti Server tha se është një dozë e madhe e trysnisë, e presionit mbi kryeministrin Kurti.
“Kemi parë disa nga pasojat, tashmë, dhe do të mund të kishte akoma,por nuk mendoj se do të funksionojnë, ngase as Prishtina e as Beogradi nuk janë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Serwer.
- Advertisement -
Sipas tij, Beogradi është duke gëzuar mbështetje të madhe nga SHBA dhe BE pa pasoja, sidomos për sulmin ndaj trupave të NATO-s, apo për kidnapimin e zyrtarëve policorë. Sjellja e Serbisë, tha ai, është konsistente dhe nuk ka gatishmëri për kompromis, derisa shtoi se ka nevojë për zgjidhje të shumë çështjeve.
“Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën dhe në mënyrë të qartë thekson se është i interesuar për ta mbajtur veriun, për të pushtuar atë dhe unë mendoj se ka mundësi ta bëjë”, ka deklaruar analisti Daniel Serwer në “Lajmet e fundit”, në RTK.